Në një njoftim gjatë orëve të vona të së shtunës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se është në komunikim të pandërprerë me ambasadën e Shqipërisë në Izrael dhe shqiptarët atje. Ministra bën thirrje për të zbatuar udhëzimet e sigurisë dhe përcjell dy numra kontakti për çdo nevojë të mundshme.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është në komunikim të pandërprerë me ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Izrael si edhe me të gjithë shtetasit shqiptarë, me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm në Izrael. U bëjmë thirrje të ndjekin e të zbatojnë udhëzimet e sigurisë, të bëra publike së fundmi nga autoritetet vendase. Për çdo nevojë të mundshme të kontaktojnë në telefon dhe WhatsApp me numrat e kontaktit të ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Izrael: +972 54-904-2813 dhe +972 54-480-6601”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Reagimi vjen pasi autoritetet izraelite, por edhe ato amerikane dhe vetë iraniane konfirmuan lëshimin e dhjetëra dronëve nga Irani në drejtim të Izraelit.