Disa qytetarë kanë denoncuar muajt e fundit në Policinë e Tiranës mashtrimin që u ka ndodhur me disa agjenci udhëtimesh ku janë drejtuar për bileta avioni.
Sektori kundër Krimit Ekonomik në policinë e kryeqytetit ka në hetim 3 agjenci të cilat janë proceduar edhe penalisht për mashtrim. Qytetarët prisnin bileta për udhëtime, por në të vërtetë ato nuk e dinin që kishin rënë pre’ e një mashtrimi.
Pasi prenotonin biletat që porosisnin qytetarët, agjencitë “fantazmë” i anulonin ato ose shpallnin falimentin, duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash.
Sipas burimeve, ka patur raste që qytetarëve i është shkaktuar dëm ekonomik deri në 1 000 euro për disa bileta. Skema të tilla mashtrimi janë konstatuar edhe vitet e kaluara, madje, sipas analizës së policisë, këto agjenci hapen për një periudhë të shkurtër kohore, enkas për këtë qëllim.
Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që qytetarët t’u drejtohen vetëm agjencive serioze dhe që kanë vite që operojnë në treg.