Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i shprehu “dhimbjen e thellë dhe solidaritetin në këto momente të vështira” familjes së Simon Gjetës, komandantit të një reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, i cili u vra pasditen e së shtunës, gjatë një operacioni për kapjen e një të dyshuari.
“Lufta pa kompromis me kriminelët dhe shkelësit e ligjit ka heronjtë e saj dhe i tillë ishte dhe Simon Gjeta. Kjo luftë do të vazhdojë dhe shteti do të triumfojë përballë të keqes, për t’i garantuar qytetarëve rendin publik dhe qetësinë në familjet e tyre”, lexohet në mesazhin e Metës.
“Duhet të angazhohemi të gjithë për t’i prerë rrugën të keqes dhe është detyra jonë kryesore të çojmë përpara drejtësisë të gjithë kriminelët dhe shkelësit e ligjit që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Nënkomisar Simon Gjetës”, lexohet më tej në mesazhin e ngushëllimit të kreut të Kuvendit.