Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka folur këtë të hënë në takimin e kryeparlamentarëve të Bashkimit Europian, të organizuar në Romë, tha se Italia po përballet ditët e fundit me tragjedi të mëdha në afërsi të brigjeve të saj, tragjedi që i kalojnë kufijtë e Italisë e të Mesdheut.
Meta është fokusuar gjatë fjalës së tij në mbytjen e rreth 1000 emigrantëve në më pak se 24 orë në Mesdhe, duke u shprehur se “këto janë veprime kriminale”.
“Duke qenë se vij nga një vend që e di shumë mirë sa i dëmshëm mund të jetë izolimi, jemi në pozicionin për të përkrahur ruajtjen e lirisë së lëvizjes dhe për plotësimin e të gjithë projektit europian, një Europë ku të integrohen të gjitha rajonet, përfshirë dhe të gjitha vendet e Ballkanit. Tragjedia më e keqe e emigracionit që ka ndodhur këtë javë në Mesdhe është një këmbanë e tmerrshme alarmi, e cila duhet të nxisë vendet anëtare të BE-së të forcojnë veprimin e tyre të përbashkët”, theksoi Meta.
Sipas kryeparlamentarit të Shqipërisë, “me taktikat e emigracionit të paligjshëm, aktivitetet kriminale të organizuara e ndër-kufitare dhe korrupsionin që po zgjerohen çdo vit, ne në Europën Jug-Lindore, si një zonë tranziti për në koridoret e mëdha europiane, mendojmë që duhet ta përshpejtojmë rrugëtimin e integrimit tonë europian”.
“Nga ana tjetër, partnerët tanë të BE-së duhet të sigurohen që ky projekt të mos ngadalësohet dhe t’u rezistojë tundimeve ekstremiste”, nënvizoi Meta.
Kreu i Kuvendit ka theksuar më tej vendosmërinë e Shqipërisë për bashkëpunim në respektimin e vlerave europiane. “Mesazhi im sot, këtu, është që të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të BE-së duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të siguruar që vlerat europiane: solidariteti, liria e lëvizjes dhe zhvillimi ekonomik të mbështeten”, u shpreh Meta.
Në takimin e kryeparlamentarëve të Bashkimit Europian Shqipëria merr pjesë për herë të parë si vend kandidat. Kreu i Kuvendit shoqërohet nga deputetët Blendi Klosi dhe Fatmir Toçi.
Në vizitën e tij dyditore, z. Meta do të pritet nga Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, Laura Boldrini dhe nga Kryetari i Senatit, Pietro Grasso. Gjithashtu, në agjendë janë parashikuar një sërë takimesh bilaterale me homologë të vendeve të tjera europiane.