9 persona kanë humbur jetën, moti i acartë përfshin edhe Britaninë e Madhe, anulohen fluturimet
Më shumë se 150 milionë amerikanë vijojnë te jenë nën alarm nga i ftohti polar që ka përfshirë një pjesë të madhe të SHBA-së prej disa ditësh.
9 persona kanë humbur jetën, disa prej tyre në aksidente dhe disa të tjerë nga hipotermia. Më shumë se 80,000 njerëz mbetën pa energji elektrike, ndërsa temperaturat në shumë shtete kanë thyer rekord në -70 gradë Celsius. Ndërkaq më shumë se 8 mijë fluturime vijojnë të jenë të anuluara për shkak të stuhisë së borës.
Autoritetet në Teksas kanë lëshuar një paralajmërim për banorët që të kursejnë energjinë elektrike, pasi kushtet kanë reduktuar kapacitetin duke rritur gjithashtu kërkesën. Kompania publike Portland General Electric, ka paralajmëruar se kërcënimi nga shiu dhe i ftohti mund të shkaktojnë vonesa në rikthimin e furnizimeve të rregullta me energji elektrike.
Zyrtarët e transportit u kanë bërë thirrje banorëve që të shmangin udhëtimet, pasi që rrugët janë bërë të rrezikshme për shkak të ngricave. Mësimi është anuluar në Portlend dhe në qytete të tjera të mëdha sikurse Çikago, Denver, Dallas dhe Fort Uorth.
Temperaturat ranë deri në -14 gradë Celsius në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa stuhia e borës ka përfshirë një pjesë të madhe të qyteteve.
I ftohti ka detyruar autoritetet të mbyllin shkollat në Skoci dhe pjesën veriore të Anglisë, ndërsa alarmi i kuq për ngrica është shpallur në disa qytete të mëdha. Parashikuesit thonë se mërkura do të regjistrojë temperaturën më të ftohtë të janarit në 14 vjet.
Më shumë se 40 cm borë është regjistruar në veriperëndim të Skocisë ndërsa sipas meterologëve i ftohti do të vijojë edhe përgjatë gjithë fundjavës. Disa fluturime janë anuluar ndërsa shërbimet hekurudhore kanë pezulluar udhëtimet. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar lëshoi një paralajmërim për mot të acartë duke i bërë thirrje banorëve që të shmangin udhëtimet përfshirë edhe të moshuarit të cilët mund të jenë më të rrezikuar.