Minatorët e minierës Trepça në Stantërg kanë paralajmëruar përshkallëzim të situatës nëse në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohen bisedime për Trepçën.
Ata kanë tërhequr vërejtjen qeveritarëve që të kenë kujdes që Trepça të mos përfshihet assesi si temë e këtij dialogu, në të kundërtën paralajmëruan greva dhe protesta.
Gani Osmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se minatorët janë të shqetësuar tejmase rreth disa zërave se Trepça mund të jetë temë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, pakënaqësia mund të nxjerrë situatën nga kontrolli dhe t’i detyrojë minatorët të hyjnë në grevë dhe protesta, andaj ka apeluar tek qeveritarët të kenë kujdes çka po nënshkruajnë.
“Le të kenë kujdes që Trepça mos të jetë temë e dialogut me Serbinë, sepse Trepça është e vet minatorëve dhe pasuri që na ka falë Zoti neve në tokën tonë. Ne s’kemi as det, as tokë pjellore, as ndonjë pasuri tjetër, do të thotë ne kemi veç Trepçën. Minatorët ndjejnë njëfarë pakënaqësie me këto bisedime dhe prej kësaj pakënaqësie janë në gjendje me hy ndoshta edhe në greva dhe protesta. Ne po e paralajmërojmë qeverinë që le të ketë kujdes. Çka po nënshkruajnë le të kenë kujdes sepse pakënaqësia mundet me nxjerrë situatën nga kontrolli”, ka thënë Osmani.
Qazim Hyseni, minator, tha se nëse çështja e Trepçës diskutohet me Serbinë, atëherë minatorët do të hyjnë në grevë dhe do të protestojnë njëjtë sikurse vitet e 90-ta.
“Nëse qeveria jonë bënë bisedime për Trepçën ne do të hymë në grevë ose do të marrim masa sikur në vitet e 90 që kemi shkuar në Prishtinë, do të shkojmë prapë nëse është nevoja”, theksoi Hyseni.
Edhe Isa Beqiri, minator për më shumë se 40 vjet, ka potencuar shkuarjen këmbë në Prishtinë të minatorëve dhe mbarë popullatës, nëse Trepça bëhet temë e këtyre bisedimeve.
“Nëse bëhen bisedimet me Serbinë për Trepçën, ne jemi të njëjtit e vitit 1989 dhe do ta ftojmë tërë popullin me shkua në Prishtinë. Ai që bisedon për Trepçën dhe asociacionin e komunave, nuk ka vend në Kosovë”, tha Beqiri./KOHA/