Ministrat e Bashkimit Europian po takohen këtë të hënë në Bruksel për bisedime urgjente pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi të vendoste tarifa prej 30% ndaj Bllokut.
Komisioneri Europian i Tregtisë, Maros Sefcovic tha përpara takimit se ideja e tarifës 30 përqindëshe është në fakt shumë penguese për një tregti të ndërsjelltë siç pretendon Presidenti Trump.
“Do të diskutojmë me ministrant hapat e ardhshëm. Unë i shoh këto të përqendruara në katër fusha: negociatat , masat e ribalancimit , angazhimi me partnerë me mendësi të ngjashme dhe diversifikimi i tregtisë sonë”, tha Maros Sefcovic.
Gjatë fundjavës, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se BE është e përgatitur të marrë masa proporcionale për të mbrojtur interesat e vendeve anëtare.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Ndërkohë kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, e cila ka marrëdhënie të mira me Donald Trump, tha në një deklaratë se besonte se mund të arrihej “një marrëveshje e drejtë”.
“Nuk do të kishte kuptim të shkaktohej një luftë tregtare midis dy anëve të Atlantikut”, u shpreh shefja e qeverise italiane.


