Ministria e Drejtësisë, Naço i dorëzon “stafetën” Manjanit

Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Nasip Naço i dorëzoi dosjen e punës pasaardhësit të tij, Ylli Manjani, i zyrtarizuar në këtë post një ditë më parë pas votimit në Kuvend.


Në fjalën e mbajtur, Nasip Naço u ndal tek reformat e ndërmarra në dy vite, si ajo në Kodin e Procedurës Penale dhe me ligjin antimafia.

Ish-ministri deklaroi se shumë është bërë në këto dy vjet, por mbetet ende shumë punë përpara, duke vënë theksin tek reforma në drejtësi.

Naço iu përgjigj tërthorazi raportimeve se largimi i tij është një lëvizje e Ilir Metës për t’i imponuar Edi Ramës të tjera ndryshime në kabinet. Ai rrëzoi këto raportime kur tha se “kjo maxhorancë do të vazhdojë të jetë e konsoliduar në realizimin e të gjitha qëllimeve të saj”.

Nga ana e tij, Ylli Manjani, para se të largohej nga salla me dosjen e detyrave, vuri theksin tek reforma në drejtësi dhe rekomandimet e dhëna nga Komisionit Europian në raportin e progresit.

“Jemi në një situatë fill pas daljes së raportit të progresit. Nuk kam ardhur këtu për të ndryshuar prioritetet, por të shpreh vendosmërinë për të çuar më tej të gjitha rekomandimet e raportit të progresit”, tha Manjani.

Kryefjala e raportit është reforma në drejtësi, e përmendur nga Naço si shkak edhe për dorëheqjen e tij për mungesë bashkëpunimi mes institucioneve.

Leave a Reply