Sikurse u mësua një ditë më parë, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar në unanimitet emrat për sekretarët e rinj të partisë dhe të komisioneve parlamentare.
Kështu, në funksionet e reja në PD bie në sy afrimi i shumë grave, të cilave u janë besuar poste të rëndësishme.
Për herë të parë, nënkryetare të Partisë Demokratike do të jenë dy gra; Jorida Tabaku, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë dhe Grida Duma, nënkryetare përgjegjëse për marrëdhëniet me shoqërinë civile.
Ndërkohë ish-drejtori i fushatës tashmë deputet i Tiranës, juristi Alfred Rushaj, do të jetë nënkryetar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar ndërsa drejtuesi politik i Qarkut të Fierit Enkelejd Alibeaj, do të jetë kandidatura e PD për nënkryetar të Kuvendit dhe njëkohësisht nënkryetar i PD.
Rikonfirmohet në detyrë Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi. Edi Paloka u zgjodh Kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Këtë post e ka mbajtur ish-Presidenti Bujar Nishani.
Shkrimtarja e botuesja Flutura Açka u zgjodh Kryetare e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës. Jemin Gjana u zgjodh Kryetar i Komisionit Zgjedhor. Për Sekretare për pronarët dhe çështjet e pronave, është zgjedhur Ledina Mandia. Ndërsa Jonila Godole, një prurje e re në Partinë Demokratike, do të jetë Sekretare për të Përndjekurit Politikë.
Sekretari për për Klimën e Biznesit është zgjedhur Flamur Hoxha. Oriela Nebiaj do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere. Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë zgjedhur Arta Sakja dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli. Për postin e Sekretarit Organizativ, është zgjedhur Ervin Minarolli, ndërkohë që Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, është Ivi Kaso.
Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë zgjedhur Taulant Zeneli dhe Endri Hasa.
Studiuesja dhe pedagogia Enriketa Papa Pandelejmoni është emëruar nga kreu i PD për pozicionin e kryetares së Fondacionit për Liri dhe Demokraci.
Komisioni për Integrimin Europian: Jorida Tabaku
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik: Agron Gjekmarkaj
Komisioni për Punën, Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë: Albana Vokshi
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut: Oerd Bylykbashi
Komisioni për Ekonominë dhe Financat: Sorina Koti
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregëtinë dhe Mjedisin: Helidon Bushati
Komisioni për Sigurinë Kombëtare: Flamur Noka
Komisioni për Politikën e Jashtme: Tomor Alizoti