Mitsotakis: Nuk do të hyjmë në luftë me Turqinë

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha të enjten se ai ende beson se është e mundur të zgjidhen mosmarrëveshjet e vendit të tij me Turqinë dhe theksoi se dy fqinjët nuk do të shkojnë në luftë.

Marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s dhe rivalëve historikë rajonalë kanë qenë veçanërisht të tensionuara për gati tre vjet.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë vazhdimisht se trupat turke mund të zbresin në Greqi “papritmas një natë” dhe madje kërcënoi se do të godiste Athinën me raketa balistike, shkruajnë mediat e huaja.

“Ne nuk do të shkojmë në luftë me Turqinë”, citohet të ketë thënë Mitsotakis gjatë një sesioni në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, të enjten.

“Ne duhet të jemi në gjendje të ulemi me Turqinë si të rritur të arsyeshëm dhe të zgjidhim dallimin tonë kryesor, që është përcaktimi i zonave detare në Egje dhe Mesdheun lindor”.

Mitsotakis vuri në dukje se megjithëse ishte një “çështje e ndërlikuar për shkak të gjeografisë së Egjeut”, Greqia kishte arritur të zgjidhte mosmarrëveshje të ngjashme me Italinë dhe Egjiptin.

Ai tha se ndërsa ka pasur “momente shumë, shumë të vështira” me presidentin turk, “nuk e konsideroj të pamundur gjetjen e një zgjidhjeje me presidentin Erdogan”.

Në mosmarrëveshje të gjatë për një sërë çështjesh, duke përfshirë të drejtat e eksplorimit territorial dhe të energjisë në Detin Egje dhe Mesdheun Lindor, Greqia dhe Turqia “kanë ardhur në prag të luftës” tre herë në gjysmën e shekullit të fundit.

Tensionet e fundit janë përqendruar në të drejtat e eksplorimit të energjisë në Mesdheun lindor dhe në praninë e trupave greke në ishujt lindorë të Egjeut pranë brigjeve turke.

Leave a Reply