Gjermania bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që do të aplikoje trajtimin eksperimental të antitrupave, që përdori ish-presidenti amerikan Donald Trump për t’u sheruar nga koronavirusi.
Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, në një deklaratë për gazetën gjermane “BILD” njoftoi se qeveria ka blerë një ilaç të ri për të luftuar pandeminë. Ky vendim erdhi pas njoftimit te dy kompanive farmaceutike Pfizer/Biontech dhe AstraZeneca se do të ngadalësojnë shpërndarjen e dozave ne Evrope.
“Duke filluar nga java tjetër, antitrupat monoklonalë do të përdoren në Gjermani si vendi i parë në BE. Fillimisht në klinikat universitare, Qeveria federale ka blerë 200,000 doza për 400 milion €. Ish-presidenti i SHBA Donald Trump u trajtua me këtë formë të trajtimit të antitrupave pasi ishte infektuar me koronavirus tetorin e kaluar. Ata veprojnë si një vaksinim pasiv. Administrimi i këtyre antitrupave në fazat e hershme mund të ndihmojë pacientët me rrezik të lartë të shmangin një progres më serioz”, deklaroi Spahn.
Gjermania ka blerë një përberje antitrupash të firmës amerikane Regeneron, si dhe ilaçin të kompanisë Eli Lilly. Të dy trajtimet janë aprovuar për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara, por ende nuk kanë marrë dritën jeshile nga rregullatorët evropianë.
Pfizer/BionTech dhe Astrazeneca njoftuan para disa ditësh se do të shpërndajnë më pak vaksina se sa ishin planifikuar fillimisht, çka solli reagime të ashpra nga shtetet e bashkimit evropian. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një intervistë për mediat franceze, tha se Unioni do të detyroje kompanitë farmaceutike të respektojnë kontratat për furnizimin e vaksinave Covid-19.
“Ne planifikojmë t’i detyrojme kompanitë farmaceutike të respektojnë kontratat që ata kanë nënshkruar duke përdorur mjetet ligjore në dispozicionin tonë. Besoj se në javët e ardhshme, zbatimi i fushatave të vaksinimit do të përshpejtohet dhe do të bëhet më i rrjedhshëm”, tha Michel.
Edhe qeveria italiane njoftoi se nese kompanitë farmaceutike nuk i binden kontratës, do të ngrejnë padi.