“Nuk ndërmjetësoj çështje të brendshme, partitë nuk duhet t’i kthejnë shpinën integrimit”
“Unë besoj që çelja e negociatave në Qershor është objektiv i arritshëm, por nuk duhet marrë i mirëqenë pasi shtetet anëtare duhet të binden plotësisht dhe unë besoj që ky është objektivi ynë i përbashkët që t’i përdorim javët në vijim për të punuar në këtë gjë që shtetet anëtare të njohin rezultatte që janë arritur. Ju e dini që tek unë mund të mbështeteni për të arritur këtë objektiv të përbashkët. Për mua personalisht do të ishte zhgënjim nëse ky vendim nuk do të merrej tani”.
Për Kryeministrin Rama, komisioni duhet t’i përmbahet rekomandimit të dhënë një vit më parë, duke thënë se hapja e negociatave nuk varet më nga Shqipëria, por nga çështjet e brendshme të vendeve të BE-së.
E pyetur për ndërmjetësimin e situatës politike në Shqipëri, Mogherini tha se ashtu si në 2017 nuk do të ndërhynte ne çështjet e brendshme, duke dhenë një mesazh edhe për opozitën.
“Partitë nuk duhet t’i kthejnë shpinën intergrimit dhe të mos pengojnë qytetarët në procesin politik të zgjedhjeve”.
Ndërsa Kryeministri Rama ishte i prerë sa i takon zhvillimit të zgjedhjeve, duke thënë se 30 Qershori është i panegociueshëm.
“Zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor ku do të zgjidhen 61 kryetarët e bashkive. Se kush merr pjesë kjo është zgjedhje e lirë e gjithësecilit. Ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit, rrugës së përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga ligji. Zgjidhjet e asaj natyre i kemi provuar. 2017 ishte maksimumi që mund të bëjë një mazhorancë për opozitën për të dhënë një zgjidhje të gjithëpranuar dhe afatgjatë nuk funksionuan”.
Mogerini ndodhet në Tiranë për samitin e Brdo-Brijunit që do të mbahet të enjten në kryeqytetin shqiptar me iniciativë të Presidentit të Republikës, presidentët e vendeve të rajonit, ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti serb Vuçiq. /Tv Klan/