Rikonsturim të rastit Monstra nuk do të ketë. Kështu vendosi Gjykata Penale me arsyetimin se vendi i ngjarjes tashmë është i ndryshuar, percjell TV21.
Mirëpo pala mbrojtëse insiston në kërkesën e tyre, sepse siç thonë dëshmitari i koduar ka gënjyer më dëshminë e tij se i ka parë në vend ngjarje personat e akuzuar për vrasjen e pesëfishtë.
“7 herë kemi kërkuar dhe 7 herë ka refuzuar gjykata dhe ne do ta kërkojmë edhe 70 herë ketë rikonstruimin i cili është më se i nevojshëm. Është i nevojshëm sepse praktikisht dëshmohet se dëshmitari i koduar nuk e ka treguar të vërtetën. Gjykata e arsyeton me vetëkonfigurimin që është ndërruar i vendit, është ndërruar për arsye që të mos gjenden gjurmët dhe të pengohet rikonstruimi. Pa marrë parasysh konfigurimi i vendit neve na intereson deklarata që e ka dhënë disa herë dëshmitari i koduar dhe na intereson distanca ndërmjet tij dhe personave që i akuzon se i ka parë atje”, u shpreh avokati Naser Raufi.
Motivi i vrasjes së pesëfishtë ende nuk dihet, thotë avokati i palës mbrojtëse Naser Raufi, edhe pse kur kishte ndodhur vrasja ishte cilësuar si vrasje me motive radikale islame.
Ndërkohë sot për Monstrën dëshmoi një pjesëtarë i MPB nga Sektori për krim teknik, Islam Zekiri. Ai ka dëshmuar për veprimet e tij që ka ndërmarrë në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur vrasja e pesëfishtë.
“Rreth orës 23:00, Goran Milloshovski më thirri që të drejtohem tek stacioni policor në Çair që të ekipohemi për tek vendi i ngjarjes. Më tha që bëhet fjalë për një ngjarje të madhe dhe duhet më shumë ekipe. Unë isha i angazhuar për ndriçimin terrenit dhe shënimin e numrave. Aty qëndruam deri sa zbardhi dita. Shkova në shtëpi pushova pak dhe në të njëjtën ditë më ftuan përsëri për tek vendi i ngjarjes. Më vonë në punë dëgjova se në vendin ngjarjes se ishte gjetur edhe diçka shtesë, por nuk e di se për çfarë bëhej fjalë”, tha Islam Zekiri, i punësuar në MPB.
Seanca e radhës është caktuar për më 28 janar. Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës./TV21