Një stuhi dimërore që solli dëborë të paprecedentë në jug të California-s, është zhvendosur tashmë në lindje, duke sjellë me vete tornado dhe erëra të forta. Banorëve në Oklahoma, Kansas, Missouri dhe Texas iu kërkua që të strehoheshin pasi moti i keq pritet që të prekë të gjithë rajonin gjatë kësaj të hëne.
Aktualisht raportohet për shtëpi të dëmtuara dhe dëmtim të linjave të energjisë, dukë lënë me mijëra në errësirë. Të paktën 12 persona raportohet të kenë mbetur të plagosur si pasojë e stuhisë.
Kalifornianët u përballën me ndërprerje masive të energjisë elektrike, përmbytje dhe mbylljen e të dyja autostradave dhe të plazheve, gjatë kohës që stuhia përfshiu këtë shtet amerikan.
Më shumë se 120 mijë persona, shumë prej tyre nga zona e Los Angeles, mbetën pa energji pas disa ditësh që përballeshin me era të forta. Të hënën, rreth 46,500 shtëpi në California mbeten pa energji. 28,300 të tjera raportohen pa energji në Texas dhe Oklahoma.
Të paktën 7 tornado goditën Oklahoma-n të dielën. Pamjet tregonin makina të përmbysura, e çati të shkatërruara për shkak të erërave të forta.
Në veri të Texas, pranë kufirit me Oklahoma-n, shpejtësia e erës shkoi deri në 183 km/h, ekuivalente me një uragan të kategorisë 3.
Stuhia e javës që lamë pas konsiderohet si një prej më të fortave që godet California-n, e cila solli edhe dëborë të pazakontë. Më herët gjatë kësaj jave, flokë dëbore u panë mbi Los Angeles, një vend i famshëm për palmat dhe diellin. Banorët u mrekulluan nga kjo pamje që zbardhi edhe shenjën e famshme të Hollywood.