13 mijë njësi të testeve të shpejta për virusin korona megjithëse arritën në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë do të mbeten të paketuara deri në javën e ardhshme. Kjo pasi deri në fund të kësaj jave Komisioni për sëmundje infektive do të hartoj një algoritëm, i cili do të hyjë në protokollin standard të testimeve për pacientët që kanë simptome të CoVid-19, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Nga ky dikaster kumtojnë se mjekët amë do të jenë ata, të cilët në bazë të urgjencës së pacientit do të vlerësojnë se çfarë lloj të testit do të bëjnë, PCR test standard apo PCR test rapid.
Ndërkohë, këto njësi të testeve të shpejta 15 minutshe që do të jenë falas sot janë shpërndarë nëpër klinikat interne si në Klinikën për sëmundje infektive, Spitali në Kozle, Spitali 8 Shtatori, Klinika për sëmundje të mushkërive TBC si dhe në 13 spitalet tjera nëpër gjithë vendin.