Mungesa e debatit për kulturën

Midis nesh

Pluralizimi politik tregoi se një nga preferencat më tërheqëse në shoqërinë shqiptare është politika, e cila nuk u kuptua si veprimtari që lidhet me çështjen e pushtetit ose me metodat që përdoren në fusha të veçanta të jetës shoqërore, por si një hapësirë ku nuk ka rregulla veprimi dhe ku dominojnë elementet e anarkisë. Ndaj dhe debati politikën është bërë një çështje e pashmangshme, sidomos e mediave, debat ky që do të mbahet në mend me prodhimin e një numri të madh të “analistëve” politik. Mjaftë tërheqës, sidomos gjatë mbajtjes së kampionatit botëror në futboll – Katar 2022, ishte edhe debati për sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Mos të flasim për disa ngjarje që mbajnë epitetin ROZE, në të cilat zhvillohet një debat që nuk është as i çuditshëm e as i arsyeshëm, aq më tepër kur futen thellë në privatësinë e disa të ashtuquajtur yje të estradës, ngjarje të cilat në fakt, ndonëse janë shumë të kushtueshme, janë edhe tejet profitabile.
Por, fatkeqësisht, mungon një debat: debati për kulturën, i cili edhe nëse zhvillohet rastësisht, është një debat sipërfaqësor, për të mos thënë i kotë. Sot kultura shqiptare ka aq shumë probleme, sa që po të diskutohej edhe ditë natë, vështirë se do t’i gjendej fundi. Mungon debati i mirëfilltë për letërsinë, gjuhën, muzikën, artin figurativ, arkitekturën, arkeologjinë, trashëgiminë kulturore, mungon debati për eposin, mitologjinë, traditën, teatrin, filmin dhe shumëçka tjetër. Kuptohet për të debatuar për këto segmente nevojitet përgatitje adekuate, ndërkaq ata që do të mund të jepnin opinion të qëndrueshëm, janë të paktë. Duhet të jetë e qartë se jeta nuk është vetëm politikë, por më shumë se kjo, është edhe kulturë. Pikërisht kjo mungesë ka bërë që në shumë segmente të kulturës të kemi kriza të vërteta, të cilat prodhojnë anomal të natyrave të ndryshme, e që janë edhe pasojë pikërisht e debateve politike, që shumica i kanë kuptuar si argëtim para ekraneve televizive. Kjo pastaj ka implikime sidomos te gjeneratat e reja, të cilat zhyten në ca fantazi ireale që ushtrojnë një pasivitet të rrezikshëm, duke i bërë ata thjeshtë parazitë bashkëkohor.
Debati për kulturën tonë është më shumë se i nevojshëm, sepse është koha të detektohen pikërisht problemet që gjithnjë e më shumë po reflektohen në zbehjen e identitetit kulturor dhe imitimin apo përvetësimin e kulturave të huaja, kurse këtë na e fakton përditshmëria që po na fut në mjedise ku dominon e huaj dhe ku vështirë e gjejmë atë që është shqiptare…
/HEJZA/

Leave a Reply