Samiti i Spanjës i hap rrugë pranimit të Suedisë e Finlandës
Liderët e vendeve anëtare të NATO-s bien dakord të pranojnë Finlandën dhe Suedinë, si anëtaret më të reja të aleancës. Ata i dhanë dritën jeshile nisjes së procedurave të anëtarësimit, në samitin e kësaj të Mërkure në Madrid.
Në një konferencë për shtyp, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aplikimi i tyre u pranua pas heqjes së Vetos nga Turqia, mbrëmjen e të Martës. Liderët e tre vendeve nënshkruan në Madrid një memorandum që garanton se Stokholmi dhe Helsinki do t’i japin zgjidhje shqetësimeve të Ankarasë, veçanërisht për ata që i konsideron si “terroristë kurdë”.
Rritja me 7 herë, deri në 300 mijë e numrit të trupave ushtarake të gatshme për ndërhyrje të menjëhershme në Europën Lindore, që kërcënohet nga zgjerimi përtej kufijve i konfliktit ukrainas është një tjetër vendim i rëndësishëm i këtij samit. Presidenti amerikan Xho Bajden, gjatë takimit para samitit me sekretarin Stoltenberg shprehu angazhimin e shtimit të trupave amerikane në Europë.
Dakordësi, liderët e NATO-s gjetën edhe për shtimin e ndihmave për ushtrinë ukrainase për të përmbysur arritjet e deritanishme të sulmit rus.