Në takimin në Bukuresht vendet u zotuan në rritjen e ndihmave edhe për karburant, ushqime dhe pajisje dimërore
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca nuk do të tërhiqet në mbështetjen e saj për Ukrainën, duke u bërë thirrje partnerëve të zotohen për më shumë ndihmë përgjatë dimrit për Kievin.
“Unë jam absolutisht i sigurt se mesazhi do të jetë se ne duhet të mbështesim dhe të rrisim mbështetjen tonë, për shembull, për sistemet e mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga i gjithë ajri dhe sulmet e rënda me të cilat po përballen tani. Pra mesazhi ynë nga Bukureshti është se NATO do të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa duhet ne nuk do të tërhiqemi”, ka thënë Jens Stoltenberg.
Stoltenberg u shpreh se Deti i Zi ka një rëndësi të madhe strategjike për NATO-n dhe që nga viti 2014, aleanca ka rritur praninë e saj atje. Ndër të tjera u shpreh se lufta nuk filloi në shkurt 2022, ajo filloi në pranverën e 2014 dhe përmendi gjithashtu rolin që Rumania kishte luajtur në lehtësimin e mbështetjes nga aleatët e tjerë.
Takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s në Bukuresht po përqendrohet në rritjen e ndihmës ushtarake dhe jo vetëm por edhe për mallra të tilla si karburant, furnizime mjekësore, pajisje dimërore dhe bllokues drone. Komentet e tij u bënë jehonë nga disa ministra nga aleanca 30-anëtare, të cilëve iu bashkuan gjithashtu Finlanda dhe Suedia, ndërsa ata kërkojnë të sigurojnë anëtarësimin e plotë në pritje të ratifikimit turk dhe hungarez. Franca dhe Gjermania po dërgojnë më shumë se 100 gjeneratorë secila për të ndihmuar në stabilizimin e rrjetit elektrik. Gjithashtu edhe SHBA ka njoftuar se do të shpallin ndihmë të konsiderueshme financiare për Ukrainën për ta ndihmuar atë të përballet me dëmet e shkaktuara nga sulmet ruse në infrastrukturën e saj energjetike.
Luftimet rreth qytetit kyç të Ukrainës lindore, Bakhmut, kanë plagosur disa persona ndërsa dhjetra të tjerë kanë humbur jetën. Forcat ruse kanë vazhduar të bombardojnë gjithashtu edhe infrastrukturën civile dhe ndërtesat në Ukrainë. Rusia ka kritikuar komentet e Papa Françeskut se disa grupe pakicë të ushtarëve të saj, kanë pasur sjellje më të këqija sesa të tjerët, në luftën e nisur në Ukrainë muaj më parë. Trupat “më mizore” janë zakonisht ato të çeçenëve, ka thënë Papa për revistën amerikane, America.