Poeti dhe kineasti i njohur Petrit Ruka është ndarë këtë mëngjes nga jeta. Mësohet se Ruka është shuar në moshën 67-vjeçare.
Ruka ka lindur kë qytetin e Tepelenës në vitin 1954 dhe ka kryer studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe dhe studimet pasuniversitare pёr dramaturgji filmike në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.
Në fillimet e tij, ka punuar si mësues nё Shkollën e Mesme tё Përgjithshme në Tepelenë. Që prej moshës së hershme ka nisur të shkruajë poezi, ku sot numëron me dhjetëra vëllime.
Një pjesë të jetës Ruka ia ka kushtuar filmit, pasi është skenarist dhe regjisor i shumë filmave. Po ashtu ka mbajtur postin e drejtorit në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve, atë të kryetarit të Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare dhe ka qenë pedagog në Universitetin e Arteve.
Ruka mban dhe titullin “MJESHTËR I MADH”, akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani në vitin 2015.