As ndërhyrja e ndërkombëtarëve nuk e ka zgjidhur situatën politike në Kosovë. Takimi mes Isa Mustafës, Albin Kurtit dhe ambasadorëve të QUINT-it është mbyllur sërish pa marrëveshje për qeverinë e re mes palëve. Anëtarja e Kryesisë së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha pas takimit se arsye për mos-arritjen e marrëveshjes është insistimi i LDK tek posti i kryeparlamentarit.
“Nuk ka marrëveshje, pikërisht për shkak të insistimit të LDK-së për t’u kthyer para 8 janarit.”
Ndërsa kreu i LDK, Isa Mustafa theksoi kërkesën që LVV të pranojë kërkesën e tyre për bashkëqeverisje.
“Biseduam me LVV për mundësinë e një koalicioni. Informuam edhe ambasadorët e QUNIT-it sepse ata kishin për qëllim për t’u informuar jo për ndërmjetësim. Si LDK ne jemi të bindur se zgjidhja që e kemi ofruar kohët e fundit i kontribuon marrëveshjes qeverisëse që balancon mbi bazat e besimit qytetarë të zgjedhjeve të vitit të kaluar. Mbesim të hapur nëse LVV i pranon kushtet tona për bashkëqeverisje.”
Pas takimit jo rezultativ ditën e hënë në mbrëmje, përpjekjen finale për të formuar qeverinë në Kosovë e bënë ambasadoret e vendeve te BE në Prishtinë, por duket se pa sukses.
Të dyja partitë politike po negociojnë me muaj, por pa ndonjë rezultat deri më tash. Ato vazhdojnë të jenë të ndara rreth postit të kryetarit të parlamentit të Kosovës, i cili tashmë mbahet nga lëvizja Vetëvendosje, konkretisht nga Glauk Konjufca, ndonëse përgjatë gjithë negociatave që nga zgjedhjet e 6 tetorit është thënë se ky post i takon Lidhjes Demokratike.