Është ndërprerë operacioni i shuarjes së zjarrit në fshatin Dukat i Ri për shkak të erës së fortë që po fryn në veriperëndim.
Kjo është bërë për shkak se rrezikohen grupet e ushtrisë që kanë shkuar për neutralizimin e situatës.
Sot një numri i konsiderueshëm i FA mbërritën në Dukat të Ri për të bërë të mundur një kordon, ku do punonin me lopata për hapjen e një kanali që do të ndërpriste përhapjen e zjarrit edhe më tej.
Ishte vetë kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili me të vajtur në vendin e ngjarjes dha këtë urdhër.
“Për të prevaluar çdo lloj mase, pjesa tjetër e ushtarëve, pjesa tjetër vullnetare apo çfarëdo qoftë duhet të bëjnë kordon larg zjarrit. Do punuar njëri pas tjetrit me kazmë, me lopatë, me sopat, me motosharrë. Duhet krijuar kordoni që zjarri të mos depërtojë më këtej. Pjesa tjetër më sipër duhet të punojë me të njëjtin parim, me parimin e tokës së djegur, nuk ka formë tjetër”, tha Çako, pak më herët.