Bashkimi kulturor, mision i (pa)mundshëm
Enkas për HEJZËN, Afrim DEMIRI
Në mes të permutimeve shteti – kultura- politika, apo politika- shteti – kultura, unë e kisha zgjedhë kultura- shteti – politika. Dihet që nëse kemi kulturë kiç, atëherë edhe shtetin do ta kemi kiç. Ne kemi ndërtuar autostradën e kombit, por kemi dështuar të ndërtojmë autostrada kulturore- artistike, si ndër veti d.m.th në hapësirën kulturore shqiptare (pavarësisht kufijve), po ashtu dhe me botën. Simbolikisht Abetarja e parë e përbashkët, që filloi të përdoret nga 1 shtatori i këtij viti, për nxënësit shqiptarë kudo që janë, mbase më së miri tregon ku gjendemi, d.m.th ende në fillim. Duke kaluar nëpër harkun kohor, prej socializmit enverist, në njërën anë dhe në anën tjetër nëpër socializmin titist, shoqëria shqiptare u fut në një tranzicion të gjatë plot trazirash dhe luftërash, e cila gjë prishi balancat e trekëndëshit të lartpërmendur, kulturë-shtet-politikë. Në vend të strategjive të përbashkëta kulturore, është krijuar një zbrazëti konceptuale për kulturën dhe një moskultivim i frymës së krijimit të vlerave. Me një fjalë, nuk kemi arritur të gjejmë një emërues të përbashkët në pluro-kulturë. Liria e krijimit, e fituar me aq sakrifica, nuk është përcjellë, me shkallën e përgjegjësisë, por kemi lejuar që ta shndërrojmë kulturën në një mall të zakonshëm të tregut të lirë, kemi rrezikuar ta tjetërsojmë atë. Ka ardhur koha e fundit që kulturën mos ta lejojmë të jetë stafetë në dorë të politikave dhe klaneve. Andaj para se të bëhet Kalendari kulturor në mes të Qeverive tona, duhen strategji të përbashkëta që do të prodhonin kulturën, duke filluar që nga harmonizimi i punëve të Akademive të arteve dhe të shkencës, Instituteve për shqyrtimet albanologjike dhe historike e deri tek koproduksionet në film dhe teatër.
Nuk duhet lejuar që të margjinalizohemi në provinca kulturore. Duhet sjellë emra te mëdhenj të kulturës që nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e viseve të tjera, duke mos harruar diasporën, në programe të veçanta kulturore, në shkëmbimet brenda shqiptare. Kurse në rrafshin ndërkombëtar, na duhen më shumë manifestime të modelit të DokuFestit apo të filmit në Durrës dhe duhet menduar të kemi takime përfaqësuese edhe për teatrin, poezinë, apo koloninë e artistëve figurative, ku duhet të promovohet kultura jonë.
Na duhen që prej viti në vit të investohet gjithandej në programe të përbashkëta arkeologjike dhe të restaurimit të trashëgimisë kulturore. Në Kosovë është kërkesë e ngutshme ndërtimi i Shtëpisë së operës, baletit dhe teatrit, muzeu i arteve bashkëkohore, muzeu i kujtesës dhe modernizimi i muzeu kombëtar sipas standardeve bashkëkohore. Na duhet instituti për rehabilitimin e viktimave nëpër faza te ndryshme të historisë, duke kapërcyer paragjykimet ideologjike dhe duke gjykuar drejtë. Na duhet te kthejmë dhe promovojmë vlerat e identitetit tonë kulturor, as si ego-nacionalizëm, e as si tallava, as si folk-tradicionalizëm, por si vlera bashkëkohore integruese civilizuese të gërshetuara me vlerat etike dhe morale të kombit. Identiteti shqiptar nuk duhet lejuar të cenohet nga qasjet totalitare as etatiste, as religjioze. Shtetet duhet të krijojnë raporte të reja me bashkësitë fetare, duke kultivuar trinomin bazik religjioz dhe duke përjashtuar cilindo frymë ekstremiste e cila cenon sekularizmin e shoqërisë shqiptare.
Strategjinë kulturore nuk e shoh si një dokument që mund të promovohet në një takim solemn, por më shumë e shoh si një frymë ilumuniste, ku gjithsecili e di detyrën e tij. Aq më parë, nuk e shoh si një platformë centraliste, por si një synim që pulson liri krijuese dhe që kultivon vlera që komunikojnë artistikisht brenda kombit shqiptar dhe me botën përreth.