Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian thonë se blloku duhet të investojë më shumë në vendet e Mesdheut për të qenë në gjendje të konkurrojë me Kinën.
Projekti kinez që njihet si nisma “një brez, një rrugë” ka bërë që Pekini të financojë ose të blejë pjesë të rëndësishme të infrastrukturës në rajon. Porti i Barcelonës dikur ishte në pronësi të kompanive spanjolle, por aty kanë hyrë tani kompani gjigante ndërkombëtare. Një pjesë e këtij porti është sot në pronësi të kompanisë kineze “Hutchison Ports”, që operon një terminal të ri gjysmë të automatizuar.
“Në 25 vitet e fundit, shumë kompani janë blerë nga kompani ndërkombëtare, qofshin këto kineze, turke, ruse apo amerikane”, thotë Calatina Grimalt përfaqësuese e Portit të Barcelonës e cituar nga VOA.
Njëzet e pesë vjet më parë, Bashkimi Evropian ndihmoi në ngritjen e Unionit të Mesdheut për të rritur lidhjet e tij ekonomike dhe politike në të gjithë këtë rajon. Por grupi – i përbërë nga 42 shtete anëtare – po përballet me konkurrencë të madhe nga jashtë, thotë shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell.
“Më duhet të them se situata në rajonin tonë jugor, në disa aspekte, është përkeqësuar. Ne nuk kemi arritur disa nga objektivat tona dhe sfidat janë rritur më shpejt sesa përgjigjja jonë kolektive ndaj tyre”, shprehet ai.
Nisma prej miliarda dollarësh e Pekinit për të lidhur Azinë, Afrikën dhe Evropën ka bërë që Kina të vendosë linja transporti në Mesdhe, së bashku me linjat nënujore dhe rrjetet 5G të telefonisë. Infrastruktura dixhitale do të diktojë konkurrencën për mbizotërimin teknologjik në shekullin e 21-të, sipas analistit Eduard Martín Lineros – dhe BE-ja do të ketë nevojë për më shumë fuqi financiare për të konkurruar. Kina ka aktualisht investime në mbi 12 porte evropiane.