Nëna e një fëmijë 6-vjeçar që qëlloi mësuesen e tij në një shkollë në Virxhinia është vënë përballë akuzave penale. 25-vjeçarja, Deja Taylor akuzohet për neglizhencë të fëmijës dhe për kundërvajtje.
Më herët, Policia kishte njoftuar se arma e përdorur në të shtënat në shkollën e Virxhinias, i përkiste nënës së fëmijës, Taylor.
Më 6 Janar kur ndodhi ngjarja, fëmija e kishte armën në çantën e shkollës. Në një moment gjatë orës mësimore, ai e nxorri armën nga çanta dhe qëlloi mbi mësuesen 25-vjeçare Abigail Zwerner në dorë dhe në gjoks. Mësuesja u plagos rëndë, por për fat të mirë i mbijetoi të shtënave.
Në një deklaratë, prokurorët e çështjes thanë se nëna e fëmijës, Taylor është akuzuar për neglizhencë të fëmijës dhe për kundravajtje për lënien në mënyrë të pakujdesshme të një arme zjarri të mbushur duke rreziku kështu edhe fëmijën. Ata shtuan se këto akuza vijnë pas një hetimi të plotë të ngjarjes.
Më herët, familja kishte thënë në një deklaratë pas të shtënave se arma ishte e siguruar. James Elleson, një avokat i familjes, tha për Associated Press se arma kishte qenë në dollapin e nënës në një raft të sipërm dhe se kishte një bllokues këmbëze.
Nga ana tjetër, mësuesja e plagosur ka akuzuar zyrtarët e shkollës se kanë injoruar paralajmërimet e shumta se djali kishte një armë ditën e të shtënave dhe i ka paditur ata për neglizhencë të rëndë.