Qindra anëtarë të dyshuar të grupit më të madh mafioz italian do të përballen me drejtësinë në gjyqin më të madh kundër krimit të organizuar që mbahet në vend në dekada të tëra.
335 mafiozë të dyshuar dhe zyrtarë të korruptuar u ngarkuan pas një hetimi të gjatë për Ndranghetën. Më shumë se 900 dëshmitarë do të japin dëshmitë e tyre dhe akt padia përmban akuza për vrasje, trafik droge, ryshfet dhe larje parash. Gjyqi nis sot dhe do të zgjasë për më shumë se dy vjet. Ai do të mbahet në një ndërtesë të modifikuar enkas për të, në rajonin jugor të Kalabrisë, që ndodhet në zemër të territorit të Ndranghetës.
Ndërtesa, një ish call centre në qytezën Lamezia Terme, është shndërruar në një sallë gjyqi të fortifikuar që mund të presë qindra persona që pritet të ndjekin ecurinë e tij. Asnjë gjyq i mafies nuk është mbajtur në itali, në përmasa të tilla, që nga vitet 1980. Ndryshe nga gjyqi i mëparshëm, që zgjati nga 1986 deri në 1992 dhe kishte në shënjestër një numër të madh familjesh të cosa nostras në Sicili, ai i të mërkurës ka në shënjestër vetëm një grup, familjen Mancuso që përbën një degë të fuqishme të Ndranghetës. Edhe pse Ndrangheta është tani më e madhe se cosa nostra, klani Mancuso thuhet se operon më së shumti në provincën kalabreze të Vibo Valentia-s.
Gjatë gjykimit paraprak u deshën më shumë se tre orë për të lexuar emrat e të pandehurve, raporton agjencia e lajmeve AFP. Mes tyre përfshihen politikanë, oficerë policie, shërbyes civilë si edhe anëtarë të dyshuar dhe bashkëpunëtorë të grupit. I akuzuari i profilit më të lartë, është ai që mendohet si bosi i klanit, Luigi Mancuso, 66 vjecc, i njohur edhe si Xhaxhai. Të tjerë të akuzuar njihen me nofka si Ujku, trashaluqi dhe biondi. Ndrangheta besohet se kontrollon kalimin e sasive të jashtëzakonshme të kokainës nga Amerika e jugut dhe vende të tjera, drejt Evropës. Në qendër të rastit është prokurori më i famshëm anti mafia në Itali, 62 vjecari Nikola Gratteri që është nën mbrojtjen e policisë prej më shumë se tre dekadash.