Një nga këshilltarët e presidencës ukrainase, Oleksiy Arestovych thotë se disfata e Rusisë është shumë afër, duke shtuar se deri në fund të prillit lufta do të ketë mbaruar.
“Faza aktive pothuajse ka përfunduar pranë Kievit, Kharkiv, Sumy dhe Chernihiv. Edhe nëse rusët shtojnë disa rezerva diku apo përpiqen të shkojnë në ofensivë, përsëri do të përfundojë me disfatën e tyre. Fundi është këtu, ata humbën, strategjikisht dhe shpejt. Mendoj se në mes ose në fund të prillit, banorët e Kievit që janë larguar do të mund të kthehen në shtëpi”, shkruan Arestovych.
Ndërkohë pas ditësh të tëra negociatash , palët ende nuk kanë arritur të kenë rezultate. Të premten një nga negociatorët rus tha se ishin afër arritjes së dakordësisë për statusin neutral të Ukrainës, por Mikhaoly Podoloyak negociator i Kievit reagoi menjëherë duke thënë se Ukraina nuk tërhiqet nga asnjë prej kërkesave të saj., që përfshijnë tërheqjen e plotë të trupave ruse. Podolojak shtoi se deklaratat e Moskës kërkojnë të provokojnë tensione.
Tashmë Ukraina ka hyrë në javën e 4 të pushtimit rus, dhe që nga 24 shkurti më shumë se 3.2 milionë njerëz kanë lënë Ukrainën dhe 12 milionë të tjerë janë bllokuar në zonat e bombarduara rëndë.