Një ndeshje e kujdesshme, por pa harruar sulmin. Ky është plani i trajnerit të Shqipërisë, Edy Reja për takimin e së enjtes në fushën e Polonisë në kualifikueset e Botërorit 2022.
“E dimë që nuk është një ndeshje e lehtë. Ne jemi të vetëdijshëm që po rritemi kohët e fundit. Jemi një skuadër kompakte, sulmuesit punojnë mirë. Duhet të bëjmë një ndeshje të kujdesshme, por pa harruar sulmin. Ne duhet të bëjmë presing që në sulm. Duhet t’i japim pak mundësi kundërshtarit që mos të na godasë”.
Trajneri Reja gjatë këtyre ditëve ka punuar me disa formacione, por natyrisht nuk priten eksperimente duke parë kundërshtarin.
Një pjesë e mirë e lojtarëve po aktivizohen rregullisht me ekipet e tyre dhe sulmi po sjell gola ku Cikalleshi apo Uzuni janë në formë.
Për kapitenin Etrit Berisha duhet kërkuar rezultat pozitiv në këtë përballje.
“Polonia është një skuadër shumë cilësore. Ne duhet të jemi shumë kompakt. Mënyra vetme për të arritur një rezultat cilësor. Nëse ekipi kundërshtar do të bëjë gabime ne do të mundohemi t’i shfrytëzojmë”.
Shqipëria pas 3 ndeshjeve të para kualifikuese renditet e treta në kuotën e 6 pikëve, 2 më shumë se Polonia. Një përballje zyrtare mes dy ekipeve nuk luhet prej kualifikueseve të Botërorit të 1990.
Në takimet e tjera të grupit Hungaria do të presë Anglinë, ndërsa Andorra do të luajë me San Marino.