Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, kumtoi masat shtesë që janë menduar të ndërmerren për parandalim të përhapjes së koronavirusit. Këto masa pritet të marrin dritë jeshile edhe në Qeveri, pasi që kanë kaluar në Komisionin për Sëmundje Infektive.
E para është kufizimi deri në 50% i udhëtarëve nëpër autobusë, e dyta ndalesë për çdo ngjarje (evente), dhe e treta në orën 23 të ndalojë puna e çdo operatori ekonomik.
“Një pako me masa restriktive tashmë është dorëzuar në Qeveri. Është propozuar ndalesë për numër të madh të mysafirëve në shtëpi, ndalesë për mbledhje në grup të njerëzve si dhe mbajtje e maskës në mjedise të hapura”, theksoi ministri i shëndetësisë, Filipce. Ndërkohë, po vijon trendi i rritjes së rasteve. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 438 raste të reja, ku gjysma prej tyre janë në Shkup, ku janë krijuar disa vatra të infektimeve në Aerodrom, Gjorce Petrov, Kisela Vodë, Qendër, etj.