Në veri të Oqeanit Atlantik ndodhen 27 milionë ton nanoplastike

Përqendrimi më i madh është në ujërat pranë brigjeve europiane.

Nanoplastika, e aftë të penetrojë edhe në organizmin e njeriut, gjendet më së shumti në ujërat e Oqeanit Atlantik.

Studiuesit kanë zbuluar se sasia më e madhe gjendet pranë brigjeve europiane, ndërsa përllogaritet se në këtë oqean janë rreth 27 milionë ton nanoplastike.

Në pjesën veriore të Oqeanit Atlantik janë depozituar 27 milionë ton nanoplastike, pra fragmente shumë të vogla të këtij materiali.

Në këtë përfundim është arritur pas marrjes së kampioneve në ujërat e ishujve Azorre deri në platformën kontinentale europiane. Grupi ka punuar për rreth 4 javë, duke mbledhur prova të ujërave detare në 12 lokalitete të ndryshme.

Në thellësi deri në 10 metra, përqendrimi mesatar i nanoplastikave është i barabartë me 18 mg për metër kub ujë; në thellësitë e tabanit niveli është 5.5 mg, ndërsa në kampionet e mbledhura pranë brigjeve europiane sasia e nanoplastikave arrin në 25 mg për metër kub.

Duke u bazuar në rezultatet e mbledhura, grupi kërkimor ka arritur në përllogaritjen e pranisë së nanoplastikave në ujërat detare të Oqeanit Atlantik të hemisferës veriore, që përkon me 27 milionë ton.

Natyrisht, këtu nuk përfshihet prania e sasisë së plastikës në përgjithësi, por të dhënat i referohen vetëm nanoplastikave, pjesëza mikroskopike të këtij materiali, që janë në gjendje të penetrojnë në të gjitha hallkat e ekosistemit dhe janë gjetur edhe në organizmin e njeriut.

Leave a Reply