Sezoni i cikloneve po bëhet më intensiv nga ngrohja e shpejtë e Oqeanit Indian
Qindra mijëra fshatarë përgjatë bregdetit të Indisë Lindore dhe Bangladeshit janë nën pushtetin e ujit pas ciklonit të fuqishëm Yaas. Stuhia e fuqishme ka shkaktuar vdekjen e 5 personave.
Rreth 500,000 njerëz janë strehuar në kampet e ndihmës në Bengalin Perëndimor dhe zyrtarët thanë se janë marrë masat e nevojshme për të zvogëluar rrezikun e një përhapje të mundshme të virusit.
Njerëzit po testohen për koronavirus duke përdorur testin e shpejtë dhe kushdo që rezulton pozitiv do të zhvendoset në shtëpi të sigurta të vendosura në afërsi të zyrave qeveritare dhe shkollave. Ndërkaq edhe Nepali po përgatitet për përmbytje të mëdha në fushat e tij dhe rrëshqitjet e tokës në kodra.
Sezoni i cikloneve në Indi po bëhet më intensiv nga ngrohja e shpejtë e Oqeanit Indian, kanë paralajmëruar shkencëtarët. Javën e kaluar India u godit nga Cikloni Tauktae, një ciklon jashtëzakonisht i fortë. Shkencëtarët thonë se ngrohja globale po përshpejton ngrohjen e oqeanit, duke çuar në një numër në rritje të cikloneve dhe intensifikim të shpejtë të stuhive, me pasoja të rënda për vendin.