Nis votimi për diasporën në Kosovë/ Mbi 100 mijë qytetarë shprehin vullnetin me postë

Nga kjo e martë deri më 12 shkurt, 101 mijë e 839 qytetarë të regjistruar nga diaspora, do të munden të votojnë me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Ndërkohë, sic raporton Vizion Plus, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një memorandumi bashkëpunimi, do të koordinohet me prokurorinë e shtetit, policinë, këshillin gjyqësor, panelin zgjedhor për ankesa dhe parashtresa si dhe komisionin e pavarur të mediave, për të garantuar mbarëvajtjen e procesit.

VALDETE DAKA

KRYETARE E KQZ

“Mes sfidave të shumta, përfshirë këtu edhe kohën e shkurtër, KQZ është angazhuar në përmbushjen e detyrave që dalin nga kushtetuta dhe ligji në fuqi për zgjedhjet e përgjithshme. Prandaj edhe njëherë i bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë që ti përmbahen rregullave dhe ligjit.”

Ndërkohë, ka nisur edhe procesi i identifikimit për votuesit e infektuar me koronavirus. 200 ekipe të lëvizshme do të jenë në dispozicion më 14 shkurt në mënyrë që të mundësohet vota e tyre e cila do të llogaritet me kusht.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka ftuar misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë që të ndihmojë në procesin zgjedhor në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit. Institucioni konsideron se janë arritur kapacitetet e mjaftueshme për ta mbikëqyrur dhe organizuar vetë procesin zgjedhor.

Leave a Reply