Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur grumbullimin e informatave rreth hyrjes së vaksinave kundër sëmundjes COVID-19 në komunat veriore të Kosovës, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë prokurori kryesor në Mitrovicë, Shyqri Syla.- Advertisment –
Ai ka thënë se, fillimisht, janë duke u zhvilluar hetimet dhe mbledhja e informacioneve, për të konstatuar nëse produktet farmaceutike kanë hyrë nga Serbia në Kosovë, përmes rrugëve joligjore ose jo.
“Po hetohet fillimisht hyrja e tyre, sepse nuk mund të themi asgjë pa e ditur se si kanë hyrë, si dhe kush janë personat që i kanë sjellë ato”, ka thënë Syla.
Ai ka shtuar se mundësitë për hyrjen e vaksinave nga Serbia në Kosovë, përmes rrugëve joligjore, janë të shumta.
“Nëse ne kemi prova se vërtet ato janë kontrabanduar – sepse duhet të ketë një autorizim për përdorimin e këtyre vaksinave – dhe nëse ato janë të kundërligjshme, do të nisin procedurat penale kundër atyre personave që i kanë bërë këto punë. Hetimet penale do të nisin pas grumbullimit të hetimeve dhe, varësisht prej të gjeturave, do të fillojnë hetimet penale kundër personave që i kanë kontrabanduar”, ka thënë prokurori Syla.
Më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.
Më 26 dhjetor, përmes një deklarate për media, Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë në lidhje me këtë çështje, as përmes Zyrave Ndërlidhëse, as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
“Nëse këto vaksina kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barna”, është thënë në deklaratën e Qeverisë në detyrë të Kosovës.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, ka thënë më 27 dhjetor se “hyrja ilegale në Kosovë e disa produkteve farmaceutike nga Serbia përbën shkelje flagrante të Marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike”, të cilat janë arritur në kuadër të dialogut teknik, në vitin 2015.
“Serbia dhe zyrtarë të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme, kanë rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës dhe, rrjedhimisht, kanë nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si në Uashington, ashtu edhe në Bruksel”, ka thënë Haradinaj Stublla në një postim në Facebook.
Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.
Vaksina Pfizer/BioNTech ka arritur në Serbi më 22 dhjetor.
Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh se vaksinat nuk kanë hyrë në Kosovë përmes Entit të Shëndetit Publik, i cili funksionon brenda sistemit serb në veri.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë në fundjavë se Kosova, më 7 dhjetor, ka aplikuar zyrtarisht në programin COVAX, për sigurimin e vaksinës kundër sëmundjes COVID-19.
COVAX është program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon shpërndarjen e vaksinës kundër koronavirusit edhe në vende më të varfra./REL/