Një person është vrarë dhe së paku 13 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi afër qytetit, Hjuston në shtetin amerikan Teksas, më 12 dhjetor.
Sherifi i qarkut Heris, Ed Gonzales tha se sulmi ka ndodhur rreth orës 6 në mbrëmje (sipas kohës lokale), kur rreth 50 persona u mblodhën afër një tregu për të kremtuar një festë lokale.
“Derisa po kremtonin, respektivisht po lëshonin balonat në ajër një veturë iu afrua turmës”, tha sherifi Gonzales. “Me t’u afruar filluan të shtënat drejt turmës”, shtoi ai.
Njëri prej të lënduarve u desh të dërgohej me helikopter në spital, shtoi tutje Gonzales derisa në mesin e të plagosurve është edhe një fëmijë.
Sipas sherifit të qarkut, është ende herët të dihet nëse sulmi është i ndërlidhur me bandat kriminale apo çfarë motivi kishin sulmuesit./REL