Dy shkencëtarë amerikanë dhe një britanik hodhën dritë mbi veçoritë e virusit
Tre zbuluesve të Hepatitit C u jepet çmimi i Nobelit në Mjekësi për 2020-n. Shkencëtari britanik Majkëll Houton dhe studiuesit amerikanë Harvi Alltër e Çarls Rajs u vlerësuan nga akademia suedeze e Nobelit për zbulimin që u ka shpëtuar jetën miliona njerëzve në mbarë botën.
Mes veçorive të zbuluara nga tre shkencëtarët është edhe fakti që Hepatiti C është ndër shkaqet më të zakonshme të kancerit dhe cerozës së mëlçisë, arsyet kryesore pse pacientët që vuajnë nga këto sëmundje kanë nevojë për transplant të këtij organi.
Shkencëtarët arritën të hidhnin dritë mbi misterin se pse gjendja shëndetësore e disa pacientëve në vitet ’60 rëndohej edhe më shumë pas transfuzionit të gjakut. Në atë kohë ishin zbuluar hepatitet A dhe B, ndërsa Harvi Alltër ishte i pari arriti në përfundimin se ekzistonte edhe një tjetër virus, një hepatit që në atë kohë e quajti as A as B. Kërkimet deri në zbulimin e plotë të hepatitit C i thelloi në 1989-ën Majkëll Houton dhe në 1997-ën, Çarls Rajs.
Ata do të ndajnë të tre çmimin prej 1.1 milionë dollarësh, teksa në kushtet e pandemisë së COVID-19 nuk do të ketë ceremoni të ndarjes së çmimeve. Në të gjithë globin numërohen aktualisht mbi 70 milionë të prekur nga hepatiti C, ndërsa numërohen mbi 400 mijë vdekje në vit.