Norvegjia njoftoi sot se do të mbyllë kufijtë e saj për turistët rusë, duke u mohuar atyre pikën e fundit të hyrjes në zonën Shengen.
Vendi nordik, i cili ka një kufi tokësor prej 198 kilometra me Rusinë në Arktik, po ndjek drejtimin e BE-së – anëtare e së cilës nuk është – e cila mori masa të ngjashme pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Vendimi për të shtrënguar rregullat e hyrjes është në përputhje me qasjen e Norvegjisë për të qëndruar pranë aleatëve dhe partnerëve të saj në përgjigje të luftës së agresionit të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Ministrja e Drejtësisë Emily Enger Mell.
Norvegjia, anëtare e NATO-s, praktikisht ka ndaluar lëshimin e vizave turistike për shtetasit rusë që nga pranvera e vitit 2022. Vetëm ata me vizë afatgjatë të lëshuar para kësaj date ose nga një vend tjetër Shengen mund të kalojnë tranzit përmes pikëkalimit kufitar Storskog-Boris Gleb, e vetmja pikë kalimi tokësore ndërmjet dy vendet.
Nga 29 maji atyre do t’u ndalohet edhe hyrja në Norvegji.
Megjithatë, disa përjashtime mbeten, shpjegoi ministri, kryesisht për qytetarët rusë që vizitojnë anëtarët e ngushtë të familjes që jetojnë në Norvegji dhe për ata që punojnë ose studiojnë në vend ose në një shtet tjetër Shengen.