Udhëheqësi i partisë konservatore të opozitës spanjolle Alberto Núñez Feijóo shpalli fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por pa arritur rezultatin që i nevojitej. Edhe me mbështetjen e së djathtës ekstreme, Partia Popullore (PP) nuk arrin dot një shumicë në parlament.
Brohoritjet në kampin rival socialist ishin po aq të zhurmshme sa kryeministri socialist Pedro Sánchez deklaroi: “Blloku reaksionar ka dështuar”.
Ndërsa të dyja mund të pretendojnë sukses, Spanja ka një fitues të zgjedhjeve. Pjesëmarrja arriti në 70%, pasi votuesit ndjenë rëndësinë e zgjedhjeve, duke u shkëputur nga pushimet e tyre për të votuar me rroba banje dhe me veshje plazhi.
“No pasarán”, brohoritën përkrahësit jashtë selisë së socialistëve – nuk do të kalojnë – duke iu referuar partisë së ekstremit të djathtë Vox dhe sloganit antifashist të luftës civile spanjolle. Megjithatë, kreu i konservatorëve Feijóo u tha mbështetësve se tani ishte detyra e tij është të përpiqet për formimin e qeverisë.
“Spanjollët e dinë se ne kemi kaluar nga forca e dytë në partinë me më shumë vota. Shpresoj që kjo të mos fillojë një periudhë pasigurie në Spanjë”.
Fatkeqësisht kjo është ajo me të cilën përballet Spanja tani. Sepse me partinë e ekstremit të djathtë Vox që fitoi 33 vende në parlament dhe Partinë Popullore me 136, mungojnë dhe shtatë mandate deputetësh për të formuar një shumicë absolute prej 176 vendesh në parlament, kështu që rezultati më i mundshëm i këtyre zgjedhjeve është një tjetër votim drejt fundit të vitit. Kjo është arsyeja pse socialistët e zotit Sánchez dhe aleatët e tij të majtë, Sumar, dukeshin më të lumtur.