Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, ka thënë se nga diskutimet që pritet të bëhen në Shtëpinë e Bardhë, do të përfitojnë Kosova dhe Serbia.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, O’Brien tha se diskutimet mes presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.
“E mirëpres takimin mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti nesër në Shtëpinë e Bardhë. Këto diskutime të rëndësishme do të avancojnë paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Nga angazhimi i të dy liderëve për dialog do të përfitojë Serbia dhe Kosova”, shkruan O’Brien.
Ndonëse është paralajmëruar se në takimin në Uashington, më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të bisedojnë për çështje që kanë të bëjnë me ekonominë dhe punësimin e të rinjve, ende nuk është e qartë se cilat janë temat konkrete, për të cilat do të bisedohet.