Një dasmë, në një fshat të Afrikës, pothuajse në shkretëtirë, rreth 100 burra që festojnë veç, sipas traditave ende të ngurta asaj zone. Dhe më pas, zhurma e muzikës tradicionale që zëvendësohet nga ajo e frikshme e bombave që shkatërrojnë pothuajse gjithçka, duke lënë mbrapa heshtje dhe dhjetëra trupa pajetë.
Ngjarja ka ndodhur vërtet në fshatin Bounti të Malit, në fillim të janarit, dhe ka mbetur në heshtje deri më tani, pas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që akuzon për masakrën aviacionin francez.
Parisi kishte pohuar një sulm të tillë, por evidentoi se kishte vrarë rreth 30 persona të cilësuar në mënyrë të përgjithshme si “terroristë”.
Por raporti i OKB-së tregon një realitet tjetër, dhe flet për 5 të ftuar në ceremoni që i përkisnin grupit xhihadist Katiba Serma, që mendohet e lidhur me Al Kaedën. Sipas dëshmive në terren, 3 prej tyre mbetën të vrarë, ndërkohë që 19 të tjerë ishin thjesht të ftuar në ceremoni.
“Fakti që një grup meshkujsh mblidhen në një zonë të caktuar, ku operon edhe një grup i armatosur, dhe mospjesëmarrja e grave ose fëmijëve, nuk është përcaktues se kush është terrorist, dhe kush jo”, thuhet në raportin që po kundërshtohet shumë nga francezët, që akuzojnë funksionarët e OKB-së që janë bazuar kryesisht mbi dëshmi lokale, por zëdhënësi i OKB-së në Nju Jork, Stephane Dujarric, ka mbështetur totalisht raportin.
Më shumë se 5 mijë forca franceze ndodhen aktualisht në Mali për të luftuar organizatat terroriste që ndodhen në zonën e Sahelit, por kanë qenë të shpeshta kritikat ndaj trupave ushtarake, që sipas dëshmive nuk hezitojnë të qëllojnë ata që dyshojnë si të rrezikshëm.