OKB kërkon drejtësi për sulmin e dyfishtë izraelit ndaj spitalit në Gaza

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se “duhet të ketë drejtësi” pas sulmit të dyfishtë izraelit ndaj një spitali në Gaza, ku mbetën të vrarë të paktën 20 persona, mes të cilëve pesë gazetarë dhe katër punonjës shëndetësorë.

Ky sulm ndodhi në një kohë kur qytetarët izraelitë nisën një ditë protestash mbarëkombëtare, duke kërkuar nga qeveria të pranojë një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Sulmi i së hënës ndaj spitalit Nasser në Khan Younis fillimisht vrau të paktën një person, një kameraman të agjencisë së lajmeve “Reuters” që po transmetonte drejtpërdrejt nga një shkallë anës ndërtesës së spitalit. Dhjetë minuta më vonë, një tjetër sulm në të njëjtin vend goditi gazetarët dhe punonjësit e shpëtimit që ndodheshin në skenë.

Të paktën 20 persona u vranë, përfshirë katër punonjës shëndetësorë dhe pesë gazetarë që punonin për media ndërkombëtare si “Associated Press”, “Reuters”, “Al Jazeera” dhe “Middle East Eye”.

“Kjo është tronditëse dhe e papranueshme,” tha të martën zëdhënësi i zyrës për të drejtat e njeriut të OKB-së, Thameen al-Kheetan, citon “BBC”.

“Kjo ngre shumë pyetje në lidhje me shënjestrimin e gazetarëve dhe të gjitha këto incidente duhet të hetohen plotësisht dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.”

Izraeli ka sulmuar në mënyrë të përsëritur spitale në Gaza gjatë luftës, pavarësisht mbrojtjes që u ofron ligji ndërkombëtar, duke thënë gjithnjë se objektet mjekësore po përdoren nga Hamasi.

Leave a Reply