Gjuha aspak humane e përdorur nga Britania e Madhe dhe politikanë të tjerë europianë rreth krizës së refugjatëve, për anëtarët e lartë të OKB-së i përngjan retorikës së Luftës së Dytë Botërore, kur të gjithë i kthyen shpinën hebrenjve gjermanë dhe austriakë, duke i hapur rrugë Holokaustit.
Zeid Raad Al Hussein, komisionieri për të Drejtat e Njeriut, u shpreh se përdorimi i shumë termave që karakterizojnë dialogun për këtë çështje delikate, është thellësisht për të ardhur keq.
Në korrik, kryeministri britanik David Cameron, referuar emigrantëve në Kalais të Francës, i konsideroi ata si një “tufë njerëzish”. E po ashtu, deklarata e fundit e Theresa May është kritikuar gjerësisht teksa tha se, “emigrimi masiv e bën të pamundur ndërtimin e një shoqërie kohezive”.
Në një intervistë, komisioneri i lartë i OKB-së tha se, gjuha që përdoret per çështjen e refugjateve i kujton atë të konferencës së vitit 1938, kur disa vende, përfshirë SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë, refuzuan të merrnin hebrenjtë teksa ata kërkonin t’i shpëtonin Hitlerit dhe aneksimit të Austrisë. Por ngurrimi i tyre, shtoi Zeid, e ndihmoi Hitlerin.
Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka drejtuar thirrje Unionit për të ndalur fenomenin e ksenofobisë dhe racizmit të drejtpërdrejtë, madje edhe duke sugjeruar që vendet e pasura evropiane të pajtohen me planin për të marrë 1 milion refugjatë nga Siria gjatë 5 viteve të ardhshme.
Por kërkesat e tyre bien në kontradiktë me realitetin. Gjermania, si destinacioni i preferuar i azilkërkuesve, tanimë ndodhet në udhëkryq. Ditët e fundit, mbështetja ndaj kancelares Angela Merkel në radhët e qeverisë dhe gjermanëve ka rënë.
Shumë prej tyre mendojnë se vendi nuk mund të përballet me një fluks rekord. Landi juglindor i Bavarisë ka kërcënuar se do të çojë vendimet e qeverisë në gjykatë nëse ata nuk marrin masa për të kufizuar fluksin e azilkërkuesve.
Madje, propozimi i ministrit të Brendshëm gjerman Thomas De Maizere, për krijimin e zonave tranzit në vend, është kontestuar fuqishëm.
Sipas planeve të De Maizere dhe Merkel, këto zona në kufi do të ngadalësonin ritmin e refugjatëve, pasi aty do të bëhej shqyrtimi i kërkesës për azil. Por opozitarët gjermanë i kanë krahasuar ato me “kampe përqendrimi për emigrantët e padëshiruar”.