OKB takim në distancë për Kosovën

Anëtarët e Këshillit kanë marrë më parë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres, për punën UNMIK-ut këta gjashtë muajt e fundit, më saktë nga 16 shtatori deri më 15 mars 2020. Raporti ndahet në disa pika, si ai për zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë, zhvillimet në Veri, kthimin dhe pajtimin si dhe trashëgiminë kulturore, vendosjen e ligjit dhe të drejtat e njeriut, gruaja dhe paqja, krijimi i besimit. Ja çfarë fshihet pas këtyre termave:

Raporti 19 faqesh fillon me çështjet kryesore politike dhe të sigurisë. Duke folur për zgjedhjet e tetorit, që përfunduan me krijimin e parlamentit të ri në dhjetor dhe të qeverisë së re në shkurt, raporti vëren se ato nxorrën në pah “një brez të ri politikanësh dhe kandidatesh gra, duke rritur numrin e grave në parlament dhe duke zgjedhur gruan e parë si Kryetare të Parlamentit”. Pjesëmarrja e zgjedhësve në dhjetë komunat serbe ka qenë më e larta deri tani, me 48,6 përqind. Raporti përshkruan në vazhdim katër muajt bisedime midis Vetëvendosjes dhe LDK, për krijimin e qeverisë së koalicionit. “Pika kyçe e mosmarrëveshjeve ka pasur të bëjë me zgjedhjet për postin e Presidentit më 2021”. Qeveria e re u formua me 21 ministra, pesë prej të cilëve gra.

Dialogu

Në raport thuhet se “Dialogu i mbështetur nga Bashkimi Europian, ka ngecur, megjithë përpjekjet ndërkombëtare për vazhdimin e tij”, dhe përmend hapat e ndërmarrë për hapjen e një linje ajrore Prishtinë- Beograd dhe shtimin e linjave ajrore komerciale. “Megjithëse liderët në Prishtinë dhe Beograd kanë konfirmuar dëshirën e tyre për rifillimin e dialogut, ata i kanë kushtëzuar ato me kushte të ndryshme,” thotë raporti, duke folur për hapat për heqjen e tarifave dhe ndalimin e fushatës për anullimin e njohjeve të Kosovës nga vendet e tjera.

Më tej raporti citon presidentin Thaçi, të ketë folur pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin serb Aleksandar Vucic më 2 mars, “për domosdoshmërinë e një zgjidhjeje paqësore të çështjeve Kosovë- Serbi dhe mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje përfundimtare”. Më 15 mars, Parlamenti aprovoi rezolutën që konfirmon angazhimin e Prishtinës për bisedime politike me Beogradin, që mund të çojnë në njohje reciproke, duke i njohur qeverisë së Kosovës mandatin për drejtimin e bisedimeve dhe duke deklaruar se “integriteti i Kosovës dhe karakteri i saj unitar janë të panegociueshme”.

Raporti radhit në vazhdim disa incidente të ndodhura në objektet fetare si ato ortodokse ashtu edhe ato myslimane. Një nga pikat e raportit flet për gjykimin dhe dënimin e veprave të lidhura me aktet terroriste. Për 35 persona të kthyer nga Siria dhe që ndodhen nën hetim, 23 janë vendosur në bankën e të akuzuarve. Ata janë pjesë e 110 personave të kthyer në Kosovë në prill 2019. Prej tyre 74 janë fëmijë, 32 janë gra dhe 4 burra. Gratë janë akuzuar me pjesëmarrje në grupe terroriste, fëmijët janë dërguar për të qëndruar tek të afërmit.

Sa i përket kthimit të personave të zhvendosur, zyra e OKB për refugjatët, UNHCR, ka raportuar kthimin vullnetar të 152 personave, kryesisht roma dhe ashkali.

Sundimi i ligjit

Në pjesën që flet për vendosjen e ligjit, raporti shkruan se gjatë kësaj periudhe “sistemi juridik i Kosovës ka ngritur padi kundër disa personave të rangut të lartë”, duke përmendur paditjen e disa ministrave për shpërdorim posti dhe fondesh. Po ashtu radhit ngritjen e disa padive dhe marrjen e vendimeve në disa procese për krime lufte.

Në pikën “Gruaja,siguria dhe paqja”, raporti thotë se Komisioni për njohjen e statusit, ka marrë 143 kërkesa të reja për njohjen e statusit të të mbijetuarës së dhunës seksuale, duke e çuar në 1226 numrin e aplikimeve që kanë filluar në vitin 2018. Deri tani 785 personave u është njohur statusi, 758 gra dhe 27 burra. Në raport flitet më hollësisht për një rast: “Më 6 mars Zyra e Prokurorit Special në Kosovë ka ngritur padi për krime bërë ndaj popullsisë shqiptare në maj të 1999, përfshirë dhe krime që kanë të bëjnë me dhunë seksuale. Ky është rasti i pare kur një padi ngrihet nga zyra e prokurorit vendas për krime lufte që kanë lidhje me dhunë seksuale.”

Në pjesën që flet për ngritjen e besimit dhe bashkëpunimin, raporti thotë se “përpjekjet në këtë fushë drejtohen kryesisht nga shoqëria civile dhe se një e katërta e aktiviteteve të kësaj natyre janë organizuar nga institucionet lokale dhe qendrore”. Po ashtu flitet për ndihmën ligjore falas, që zyra e UNMIK ofron në fushën e drejtësisë.

Në dokumentat që anëtarët e Këshillit të Sigurimit marrin, raportit të Sekretarit të Përgjithshëm i bashkangjiten edhe raporti i EULEX-it për këtë periudhë si dhe raporti i Zyrës së Prokurorit special.

Në takimin e Këshillit të Sigurimit, që është takim në distancë, pritet të flasin fillimisht shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic dhe ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku. Mbas tyre fjalën e marrin të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, që kanë vend të përhershëm dhe të përkohshëm. Gjermania është aktualisht anëtare e Këshillit të Sigurimit. Takimi nesërm do të drejtohet nga José Singer Weisinger, përfaqësues i Republikës Domenikane në OKB. Është lënë që takimi të zgjasë 1 orë, që është sa gjysma e kohëzgjatjes së deritanishme. Për herë të fundit Këshilli i Sigurimit është marrë me Kosovën në tetor 2019, ku mori vendimin për uljen e ritmit të takimeve, që do të mbahen në të ardhmen jo çdo tre muaj, por çdo gjashtë muaj. /DW

Leave a Reply