Disa nga vendet më të mëdha prodhuese të naftës në botë kanë rënë dakord që të ulin sasinë që eksportojnë, vendim ky që pritet të rrisë çmimin e naftës në mbarë botën.
OPEC dhe aleatët e tij, përfshirë Rusinë deklaruan se do të ulin prodhimin e naftës me 2 milionë fuçi në ditë, gjë që shënon uljen e parë të madhe të prodhimit të naftës që nga ditët e para të pandemisë.
Mbledhja e grupit të njohur si OPEC+, ishte e para e këtij lloji që u mbajt që nga fillimi i vitit 2020. Analistët thonë se vendimi që zyrtarët e naftës të mblidheshin në Vjenë pas kaq shumë kohësh ka sinjalizuar një synim për të bërë një deklaratë të fortë për tregjet e karburanteve.
Një fuçi naftë e papërpunuar Brent tregtohej me 84,06 dollarë në fund të Shtatorit. Ndërsa, lajmet për uljen e prodhimit të OPEC+ kanë bërë që çmimi i naftës të rritet në 92.74 dollarë për fuçi.