Kur të gjithë vendet vijojnë imunizimin e popullsisë me vaksinat anti-kovid, opozita vlerëson se Qeverisë i dështojnë një nga një të gjitha planet për furnizim. Sipas VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, mungesa e vaksinave do të ketë pasoja edhe më të rënda mbi popullsinë në vend.
“Me furnizimin me vaksina ndodh dështim dhe fiasko. Për një vit të tërë kur kanë pasur mundësinë të porosisin dhe të gjejnë vaksina, ata morën vetëm një kuti “sadaka” duke lypur dhe asgjë më shumë. Do t’u them disa shembuj nga vende që dje morën doza enorme të vaksinave. Dje Kenia mori 1 milion vaksina nga AstraZeneka, Ruanda 340 mijë vaksina, Sudan 800 mijë, Gambija 36 mijë vaksina, Senegall 324 mijë vaksina”, tha Vllatko Gjorçev, VMRO-DPMNE.
“Ky prolongim i pafund i imunizimit të popullatës, pos që drejtpërdrejt po e rrezikon jetën e qytetarëve tani që vala e tretë e pandemisë është në shfaqje e sipër, ajo po i zbeh skajshmërish edhe shpresat për një hapje graduale të shtetit tonë dhe të ekonomisë vendore. Madje, kur të gjitha vendet e rajonit dhe të BE-së të kenë përfunduar me këtë proces, do të pasojë izolim me pasoja të papara për vendin tonë”, pohoi Orhan Murtezani, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.