Berisha: Të hënën mblidhemi para Parlamentit
Opozita kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Rama, në një protestë paqësore të zhvilluar para selisë së qeverisë, pasi e akuzon ate së është i përfshirë në skandalin e dosjes së ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal.
Protesta nisi nga selia e Partisë Demokratike, ndërsa me grumbullimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përfaqësues dhe krerët e opozitës u ngjitën në podium për të mbajtur fjalime.
Aleati i demokratëve Ilir Meta, pasi rreshtoi një sërë akuzash për Kryeministrin, deklaroi se vendi i tij është në qeli për korrupsion, abuzime me detyrën dhe lidhje me krimin e organizuar.
Sali Berisha i cili u ngjit i fundit në podium, deklaron se çështja McGonigal është dëshmi se shpallja e tij non grata u lobua nga Edi Rama.
Kreu i demokratëve i kërkon senatit amerikan dhe Parlamentit europian të hetojnë Edi Ramën.
Berisha thotë se ka dijeni se vila e Kryeministrit në Surrel ka armatime të rënda.
Largimin e Ramës e sheh si mundësinë e vetme për shpetimin e vendit nga varfëria e shkaktuar nga korrupsioni sipas tij.
Premtoi ndryshime kur demokratët të vijnë në pushtet, me vendime e ligje që u vijnë në ndihmë qytetarëve.
Protestën e sotme e cilëson vetëm nisjen e revolucionit, dhe premton mosbindje civile dhe vijimin e protestave menjëherë në fillimin e javës së ardhshme.
Por fjala e tij nuk ishte fundi i protestës së kësaj të shtune. Disa nga protestuesit hodhën flakadanë pranë hyrjes së Kryeministrisë së rrethuar nga një gardh efektivësh të policisë, të cilët nuk ndërhynë.
Mbështetësit e opozitës, të udhëhequr nga Berisha, marshuan drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës, Partisë Socialiste dhe Parlamentit.
Protesta u mbyll në mënyrë paqësore me premtimin për të vijuar pasditen e të hënës, në orën 17:00, kur Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare.