Orban kërcënon BE: Nuk ka buxhet 7-vjeçar të unionit pa zhbllokuar fondet e ngrira

Qeveria e Hungarisë nuk do ta mbështesë buxhetin e ri 7-vjeçar të BE-së nëse Brukseli nuk liron të gjitha fondet e ngrira të Bashkimit Europian.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Udhëheqësi nacionalist ka pasur përplasje me Brukselin për politikat e tij mbi emigracionin, kufizimet mbi të drejtat e LGBT-së dhe atë që kritikët e quajnë një rënie të demokracisë në Hungari.

BE-ja ka pezulluar miliarda euro fonde të destinuara për Hungarinë.

 “Miratimi i buxhetit të ri shtatëvjeçar kërkon unanimitet dhe derisa të marrim fondet e ngrira, nuk do të ketë as një buxhet të ri të BE-së. Nuk do të bëjmë asnjë lëshim në lidhje me sovranitetin tone”, u shpreh kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Sipas tij, udhëheqja aktuale e BE-së ka hyrë në një luftë tregtare që Evropa nuk mund ta fitojë.

 “Udhëheqja aktuale e BE-së do të jetë gjithmonë e fundit që do të nënshkruajë marrëveshje me SHBA-në dhe gjithmonë marrëveshjet më të këqija”, tha Orban.

Ndërkohë, mundësitë janë rritur që SHBA dhe Evropa të arrijnë një marrëveshje tregtare.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të takohet me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump në Skoci për të diskutuar rreth mosmarrëveshjeve.

Më herët, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se gjasat për të arritur një dakordësi janë 50 me 50./Klan News/

Leave a Reply