Kreu nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndryshim” në Bashkimin Evropian, në një fjalim të mbajtur më 9 tetor në parlamentin e bllokut evropian. Fjalimi i tij u shoqërua me protesta për prapambetje demokratike në Hungari.
“BE-ja duhet të ndryshojë, dhe do të doja t’ju bindja për këtë sot”, tha kryeministri i ekstremit të djathtë, në Strazburg, ku shkoi për të prezantuar “prioritetet” e presidencës hungareze të BE-së.
Orban tha se kjo është “periudha më serioze” në historinë e BE-së, me luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme që po eskalon dhe një “krizë migracioni” që sipas tij mund të shkaktojë “shkatërrimin” e sistemit të kufijve të hapur në Schengen.
“Unioni ynë duhet të ndryshojë, dhe presidenca dëshiron të jetë katalizatori i këtij ndryshimi”, tha ai.
Si aleati më i afërt i presidentit rus, Vladimir Putinit, brenda Bashkimit Evropian, qeveria nacionaliste e Orbanit është në përplasje me partnerët e saj për një sërë çështjesh – nga ndalimi i ndihmës për Kievin, deri te miratimi i një sërë ligjesh që blloku i sheh si prapambetje demokratike.
Fjalimi i Orbanit në parlament, ku ishte e pranishme edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është shtyrë dy herë dhe tani po zhvillohet në mes të mandatit presidencial të Budapestit.
Ligjvënësit e BE-së premtojnë se do ta mbajnë Orbanin përgjegjës, me liderin e opozitës hungareze, që është bërë eurodeputet, Peter Magyar, si një ndër folësit e radhës dhe me protesta që zhvilloheshin përgjatë fjalimit të Orbanit.
“Nuk ka para për të korruptuarit”, thuhej në një pankartë të mbajtur nga ligjvënësit e majtë, në referencë ndaj miliardave euro fonde që janë ngrirë për Hungarinë për shkak të shqetësimeve mbi sundimin e ligjit.
Një interpretim i zhurmshëm i himnit antifashist “Bella Ciao” u dëgjua ndërsa ai përfundoi fjalimin, duke shkaktuar një thirrje për rend nga presidentja e parlamentit, Roberta Metsola, e cila tha: “Ky nuk është Eurovisioni”.
Kur Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të BE-së në korrik, Orban doli jashtë skenarit: ai nisi një “mision paqeje” të pakoordinuar për Ukrainën në Kiev, Moskë dhe Pekin, që la udhëheqësit në Bruksel të shqetësuar.
Në përgjigje, von der Leyen urdhëroi zyrtarët e lartë të anashkalojnë një sërë takimesh të organizuara nga presidenca hungareze, në një bojkot de facto të paprecedentë.
Që kur u rikthye për ta udhëhequr vendin e tij në vitin 2010, Orban ka ndërmarrë hapa për të kufizuar të drejtat civile dhe për të forcuar kontrollin mbi pushtetin, duke u përplasur vazhdimisht me Brukselin mbi çështjet e sundimit të ligjit.
Por, Orban ka theksuar fitimet e ekstremit të djathtë në zgjedhje nga Italia në Holandë dhe Austri – dhe ndikimin në rritje të një grupi të ri të udhëhequr nga Hungaria në parlamentin e BE-së, Patriotët për Europën – si dëshmi se klima politike në Evropë po ndryshon./REL