Tensionet në sallën e Parlamentit grek me zërat pro dhe kundër marrëveshjes së arritur me huadhënësit ndërkombëtarë, janë reflektuar më së shumti në rrugët dhe sheshin pranë godinës.
Qindra qytetarë grekë janë mbledhur për të protestuar kundër votimit të masave shtrënguese në sheshin “Sintagma”.
Protestuesit kanë nisur të qëllojnë me gurë dhe molotov në drejtim të forcave të policisë, të vendosura përreth godinës së parlamentit.
Policia ka reaguar me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë protestat.
Situata vijon të mbetet e tensionuar, megjithëse intensiteti i përleshjeve ka rënë disi.
Më herët, kryeministri Tsipras u ka kërkuar deputetëve të tij mbështetjen për kalimin e marrëveshjes, në të kundërt qeveria rrëzohet.
“Nëse nuk më mbështesni sot, nesër nuk do të jem kryeministër. Ose bashkë me mua sot, ose nesër bie Qeveria e majtë!”, kanë qenë fjalët e fundit të kryeministrit Tsipras drejtuar deputetëve të partisë së tij.
“Kush më gjeti një zgjidhje tjetër që nuk do të ishte me pasoja katastrofike për popullin dhe unë nuk e bëra – le të ma thotë”, është shprehur ai.
Tsipras ka deklaruar se as falimentimi i çrregullt dhe as dalja e përkohshme 5-vjeçare e Greqisë nga Eurozona e planifikuar nga zoti Shcauble, nuk duhet të ndodhin.
Por nga ana e tij, grupi marksist brenda Radikalëve të Majtë, i drejtuar nga ministri i Energjetikës, Panagiotis Lafazanis karakterizon dilemën: “Marrëveshje ose katastrofë”, si dy alternativa që terrorizojnë deputetët dhe se kjo dilemë nuk duhet marrë parasysh.
Kanë qenë të shumta publikimet e orëve të fundit për ministrin në fjalë, sipas të cilave ka propozuar konfiskimin e 22 milionë eurove që ndodhen në Bankën e Greqisë dhe qarkullimin e një monedhe të re kombëtare, duke dalë nga Eurozona.