Numri i rasteve të personave të konfirmuar si bartës të koronavirusit në Kinë u rrit me gati 4 mijë ndërsa ai i vdekjeve me rreth 75, brenda një dite. Deri tani shifrat e përgjithshme flasim për mbi 31 njerëz të infektuar dhe 636 që kanë humbur jetën. Ndërsa virusi vazhdon të përhapet, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se është ende shumë herët të thuhet nëse shpërthimi i virusit ka arritur pikën kulmore edhe pse të mërkurën numri i përgjithshëm i rasteve të reja ra për herë të parë. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se shifrat kanë pësuar një rënie të lehtë. “Kur e shihni këtë grafik duket sikur numri nga dita në ditë po rritet, por shifra aktuale e raportuar sot, në krahasim me numrin e raportuar dje ka pësuar rënie. Nuk do të thotë asgjë, por të paktën nuk po shkojmë në drejtimin e gabuar”, thotë Mike Ryan i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Media zyrtare njoftoi se në Wuhan të Kinës një foshnje u diagnostikua me koronavirus 36 orë pas lindjes, i infektuari në moshën me të re deri më tani. Nëna e foshnjes rezultoi pozitive pas testit për virusin përpara lindjes. Mjeku Zeng Lingkong i spitalit të Fëmijëve në Wuhan tha se është e pamundur të konfirmohet nëse virusi u transmetua në barkun e nënës apo pas lindjes.
“E ndamë menjëherë foshnjën nga nëna pas lindjes dhe po e ushqyejmë në mënyrë artificiale”, thotë Zeng Lingkong, i spitalit të Fëmijëve në Wuhan. Po të enjten një shtetas britanik u konfirmua se ishte prekur nga koronavirusi pas kthimit të tij nga një vend aziatik. Raste si ky tregojnë se rreziku i prekjes nga virusi është i lartë për një zonë më të gjerë. “Më parë rreziku që dikush të infektohej jashtë Kinës ishte shumë i ulët dhe vetëm në rrethana mjaft të kufizuara këshillonim kryejen e testeve. Por tani këshillojmë testimin për një zonë më të gjerë gjeografike”, thotë një zyrtar i lartë i shërbimit mjeksor në Londër Chris Whitty.
Zyrtarët kanë ende nevojë për më shumë informacion që do t’i ndihmonte ata t’i jepnin fund përhapjes së mëtejshme të virusit thotë drejtori i përgjithshëm i OBSH-së. “Ne nuk e dimë burimin e shpërthimit, nuk e dimë se cili është rezervuari natyror i tij dhe nuk e kuptojmë siç duhet aftësinë e tij për t’u transmetuar apo shkallën e rrezikshmërisë së tij. Që ta ndalim, kemi nevojë t’u japim përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve”, thotë Tedros A. Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së. Kjo është arsyeja thotë ai pse OBSH-ja po organizon një forum botëror disa ditor që do t’i shërbejë identifikimit dhe koordinimit të përpjekjeve në fushën e kërkimit, gjetjes sa më shpejt të jetë e mundur të terapisë apo vaksinës që lufton virusin.