Presidentja Vjosa Osmani ka thënë që Kosova do t’i ndërmarrë masat e nevojshme për ta ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial.
Ajo ka folur për sigurinë në Kosovë dhe sulmet e mundshme nga Serbia për të cilën tha se nuk e ka mendjen për të mirë.
“Të gjitha këto vlerësime i kam bërë gjatë fjalimit të fundvitit dhe natyrisht që jam në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe njëkohësisht me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që t’i ndërmarrim masa për ta mbrojtur Kosovën, integritetin tonë territorial dhe sovranitetin. Serbia nuk është që mendon mirë, nuk është që planifikon mirë dhe më e rëndësishme është që ne jemi të gatshëm për çdo skenar”, ka thënë Osmani.
Ajo ka folur edhe për takimin me opozitën duke thënë që dera e saj është e hapur për ata që duan të punojnë për të mirën e qytetarëve, raporton EkonomiaOnline.
“Nuk ka pasur anulim. Siç edhe e kanë njoftuar nga Zyra ime ka qenë çështje disa minutëshe, çështje protokollare dhe natyrisht se dera e Presidencës është gjithnjë e hapur siç ka qenë deri më tani, në mënyrë që takimet me partitë opozitare të diskutojmë dhe t’i marrim parasysh qëndrimet e tyre dhe për aq sa është e mundshme t’i përfshijmë në qëndrimet institucionale e Republikës së Kosovës”.
“Natyrisht që kur ata dëshirojnë që të takohemi, në mënyrë t’i unifikojmë qëndrimet për këto tema që janë të rëndësishme për qytetarët dhe për të ardhmen e vendit tonë, si presidente e vendit jam e gatshme”.