Osmani në një intervistë për median portugeze “DN”, ka folur edhe për dialogun me Serbinë, derisa ka thënë po vazhdon me synimet destabilizuese në raport me Kosovën.
“Është një situatë e ndërlikuar, për fat të keq, e krijuar nga fqinji ynë verior, nga synimet e tij destabilizuese jo vetëm kundër Kosovës, por edhe në Bosnje, Mal të Zi dhe vende të tjera të rajonit. Por pavarësisht sulmeve kundër nesh dhe synimeve për të destabilizuar vendin tonë, Kosova ka qenë gjithmonë një fqinj paqësor dhe konstruktiv. Ne gjithmonë e zgjasim dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit, madje duke pasur parasysh se Serbia jo vetëm që nuk kërkoi falje, por as nuk dha drejtësi për viktimat që shkaktoi në ish-Jugosllavi gjatë regjimit të Millosheviqit dhe konkretisht në Kosovë. Unë besoj fuqimisht se ekzistojnë parime, apo parakushte bazë për krijimin e një situate të qëndrueshme paqeje në rajonin tonë… dhe një prej tyre është drejtësia. Jo vetëm në rajonin tonë, por nëse shikojmë historinë botërore shohim se nuk ka territor ku kjo paqe e qëndrueshme është arritur pa drejtësi për viktimat e shkaktuara nga lufta. Dhe ndërsa ne kishim numrin më të madh të vdekjeve të fëmijëve gjatë luftës në krahasim me vendet e tjera të rajonit, për kokë banori, më shumë se 20,000 gra u përdhunuan nga forcat e Millosheviqit, dhe humbëm mijëra civilë humbën jetën në vetëm disa muaj, drejtësia nuk u vendos kurrë në ndonjë nga këto raste. Kjo na sjell në një kërkesë shumë themelore që është: ballafaqimi me të kaluarën”, ka thënë Osmani.
Ajo ndër të tjera është shprehur se Serbia po abuzon me dialogun.
“Ballafaqimi me të kaluarën është shumë i rëndësishëm nëse duam të shohim rajonin tonë të ecë përpara dhe, pavarësisht përkushtimit të Kosovës për dialogun shtet-me-shtet me Serbinë për të siguruar marrëdhënie të mira tregtare, se nuk ka pengesa për lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve dhe se nuk e bllokojmë njëri-tjetrin ndërkombëtarisht, Serbia ka bërë të kundërtën. Vazhdon të zhvillojë një fushatë agresive kundër Kosovës, ndërkombëtarisht, vazhdon të abuzojë me dialogun duke u përcjellë informacione të gabuara disa vendeve, veçanërisht atyre që janë gjeografikisht më larg, duke thënë se dialogu ka në qendër statusin e Kosovës – gjë që padyshim nuk është. Serbia ka kryer një sërë nismash destabilizuese, me ndihmën e Rusisë, duke mbajtur gjallë tensionet dhe konfliktet dhe duke e lënë rajonin tërësisht jashtë integrimit europian, duke shkuar kundër asaj që duam dhe mbrojmë. Pavarësisht gjithë kësaj, përpjekjet tona janë të sinqerta, ne jemi shumë të sigurt në synimet tona, ne flasim sinqerisht me miqtë tanë në BE, SHBA dhe më gjerë”, u shpreh Osmani.